PD reagon për vrasjen e Agron Bushit nga policia në Laç – (29 Tetor 2000)


PD reagon për vrasjen e Agron Bushit nga policia në Laç – (29 Tetor 2000)

14:19 29/10/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Partia Demokratike ka denoncuar pushkatimin pa gjyq, sipas saj nga forcat policore të ndërhyrjes së shpejtë të dislokuara në rrethin e Kurbinit, të të riut laçian demokrat Agron Ndue Bushi, plagosjen e Vladimir Lleshit dhe tentativën për vrasje të shtetasve Astrit Bushi, Kol Sulaj dhe Xhovalin Kuqi, menjëherë pas mbarimit të mitingut në Kurbin.

Partia Demokratike hedh poshtë versionin e Ministrisë së Brendshme, se Agron Bushi ka qëlluar drejt policisë. Sipas saj ngjarja nuk u zhvillua në afërsi të komisariatit dhe as në sheshin kryesor të qytetit, por në periferi të Laçit dhe në afërsi të lokalit të Astrit Bushit, vëllait të ekzekutuarit. Për qetësimin e situatës në Laç, PD ka kërkuar hetim të paanshëm të ngjarjes nën vëzhgimin e organizmave ndërkombëtare. Në lidhje me këtë ngjarje deputeti i Kurbinit Pal Dajçi u shpreh:

Pal Dajçi, Deputet i Kurbinit:- “Pas të dhënave të qytetarëve të ndryshëm del, që makina në të cilën ndodheshin pesë qytetarë, ka parakaluar me shpejtësi para furgonit të policisë dhe është qëlluar. Kaq dimë ne për ngjarjen nga dëshmitë. Kërkojmë nga prokuroria një hetim të drejtë të ngjarjes”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme