Veliaj: Kemi vetëm 1 plan, të bëjmë Shqipërinë dhe Tiranën
“PD kërkon të ringjallë Berishën dhe të shtojë vilat”
Partia Socialiste ndez motorët e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit, ku kërkon një mandat të tretë qeverisës. Në një takim me gratë socialiste, Kryebashkiaku i Tiranës, njëherësh drejtues politik i kryeqytetit, tha se socialistët kanë vetëm 1 plan, ndërsa ka zbuluar edhe sloganin e fushatës.
“Na kanë ngelur edhe 207 ditë, para se ne të shkojmë në një betejë ku të themi “#edhe 1, edhe 1” për Partinë Socialiste. Ne kemi vetëm një plan: Të bëjmë Shqipërinë dhe të bëjmë Tiranën. Pala tjetër ka një plan tjetër, kanë shtëpinë e tretë, kanë pasaporta holandeze, kanë edhe një plan B. Nëse ju mendoni se Sali Berisha që kërkon ringjalljen e tij të tretë, ka hallin e familjeve tuaja, e keni gabim”.
Veliaj komentoi edhe planin ekonomik të prezantuar nga opozita.
“Sot dolën me plan ekonomik, seriozisht? I vetmi plan ekonomik që kam dëgjuar këto tetë vite është, gjej një kompani, vëri gjobë nëpërmjet zëdhënies, paguaj gjobën që unë të të heq sulmin ndaj partisë”.
Veliaj e cilësoi një shans historik për shqiptarët, sepse sipas tij, fitorja e socialistëve në zgjedhje është për të ardhmen e vendit.
Tv Klan