Ndryshojnë rregullat për debatin presidencial
Debati i parë presidencial me Donald Trump dhe Joe Biden dështoi. Ky është përfundimi që kanë arritur të gjithë analistët në SHBA, por dhe Komisioni për debatet presidenciale. Ky i fundit ka vendosur që për dy debatet e ardhshme të ndryshojë rregullat, që diskutimi mes dy kandidatëve të jetë më i qartë dhe më i rregull.
Mediat ndërkombëtare shkruan se Komisioni për Debatet Presidenciale po shton mjete të reja për të ruajtur rendin në debatet e ardhshme, pasi përballja Trump-Biden ishte shumë kaotike. Ndërprerjet e shpeshta të Trumpit kundër Biden, bën që ky i fundit të mos përfundonte asnjëherë argumentet e tij.
Moderatori Chris Wallace i Fox News gjatë debatit është parë shumë herë që të ndërpriste Trump, por nuk ia arriti dot. Në një deklaratë, komisioni tha se debati i parë “tregoi se duhen shtruar struktura të tjera për debatet e mbetura për të siguruar një diskutim më të rregullt të çështjeve“. Rregullat e reja do të shpallen shumë shpejt, ka premtuar komisioni.
Lidhur me këtë ka ardhur një reagim nga Biden dhe Trump. Kandidati demokrat shkruan se debati i parë “ishte një turp kombëtar. Nuk dua të spekulloj se çfarë do të ndodhë në debatin e dytë ose të tretë”. Nga ana tjetër Presidenti shkroi “Provoni të merrni një moderator të ri dhe një kandidat më të zgjuar demokrat”./tvklan.al