Sekuestrohet një superskaf në Vlorë, dyshohet se transportonte klandestinë (15 Nëntor 2000)


Sekuestrohet një superskaf në Vlorë, dyshohet se transportonte klandestinë (15 Nëntor 2000)

15:20 15/11/2000

Një superskaf me katër motorrë është bllokuar dje në Vlorë. Ky skaf tepër i fuqishëm është zbuluar nga policia vlonjate i fshehur në një banesë betoni 4 metra i lartë. Superskafi i përmasave të mëdha është bllokuar pranë një shtëpie ku sipas policisë pronari i tij nuk është identifikuar ende. Më pas forcat e Policisë së Vlorës kanë transportuar stafin për në komisariat ndërkohë që materialet u janë kaluar prokurorisë.

Po mbrëmë forcat e Policisë së Sarandës kanë bllokuar një gomone me dy motorrë dhe një skaf. Dy mjetet e lundrimit që shërbenin për trafik klandestinësh janë bllokuar në gjirin e Borshit ku mbaheshin të fshehur. Edhe në këtë rast po punohet për identifikim e pronarëve të tyre. Po në Sarandë kësaj radhe në kufirin tokësor pranë piramidës 67 në Konispol, Policia ka ndaluar 29 klandestinë shqiptarë që tentonin të kalonin kufirin ilegalisht.

Lufta antitrafik e shpallur tani së fundmi me forcë nga krerët e Ministrisë së Rendit ka rritur më tepër rezultatet e këtij operacioni. Vetëm ditët e fundit janë bllokuar dhjetëra skafe në Shkodër, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Për ta, ministri i Mbrojtjes Gjoni ka urdhëruar të kenë vetëm një fund, shkatërrimin ose djegien e tyre./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme