Erdogan kërcënon me refugjatët


Erdogan kërcënon me refugjatët

22:05 01/10/2020

“BE na premtoi 3 mld euro, por nuk na dha asnjë lugë ujë”

Këto pamje të qindra mijëra refugjatëve që vërshuan në fillim të këtij viti drejt vendeve të Perëndimit, ku një prej rrugëve për të kaluar është edhe përmes Shqipërisë, mund të përsëriten sërish.

Në nisjen e legjislaturës së re parlamentare, presidenti Erdogan kërcënoi Bashkimin Europian me hapjen e kampeve të refugjatëve. Ai kujtoi premtimet e Brukselit dhe përmendi shpenzimet që ka bërë Turqia duke mbajtur brenda territorit të saj rreth 4 milionë sirianë.

“Ata që nuk e heqin nga goja humanizmin, të drejtat e njeriut dhe respektin, kthejnë krahët dhe shkojnë në vendet e tyre dhe bëjnë gjithçka që mos t’i marrin emigrantët. Askush nuk flet në Parlamentin Europian për mbi 100 mijë fëmijë refugjatë që janë zhdukur në Europë. BE na premtoi 3 miliardë euro + 3 miliardë euro dhe pastaj nuk na dha asnjë lugë ujë. Tani nuk flasin mirë për ne. Nuk janë të drejtë. Ne u flasim atyre me shifra. Doni prova? Urdhëroni! Ejani dhe shikojini shpenzimet që kemi bërë. Por e dimë që nuk u intereson diçka e tillë. Bëjnë gjithçka qoftë edhe me forca ushtarake për të mbrojtur territorin e vet ku nuk duhet të shkelin refugjatët”.

Ky kërcënim i Erdogan vjen si përgjigje për deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE për sanksione ndaj Turqisë, nëse nuk ndërpret aksionin e kërkimit të naftës dhe gazit në Mesdhe. Por edhe sot, kreu i shtetit turk u shpreh i vendosur për të vijuar kërkimet pasi sipas tij, nuk do të lejojë që Turqia të burgoset përmes hartave të Perëndimit, duke përsëritur edhe njëherë nevojën për ndarje të re kufijsh.

Klan Plus






Të ngjashme