Kryeministri Meta takim me pushtetarët lokalë – (3 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryeministri Meta ka mbledhur sot të gjithë kryetarët e rinj të komunave dhe bashkive në të gjithë vendin. Besoj tha ai, se ju të gjithë e keni shijuar kënaqësinë e fitores, prandaj keni filluar të mendoni dhe të projektoni zbatimin e platformave. Sipas kryeministrit, mendimi dhe vizioni i kryetarit të bashkisë, duhet të ngrihet mbi plehrat apo kioskat pa leje, drejt ndërtimit të ambienteve të kulturuara, parqeve dhe sipërfaqeve të gjelbëruara.
Kryeministri Ilir Meta:- “E ardhmja nuk ka ngjyrë partie, por ngjyrën e ëndrrave të fëmijëve tuaj, të familjeve tuaja, të qyteteve dhe të komunave që ju përfaqësoni. Demokracia nuk ka ngjyrë partie, ajo është një sistem qeverisje dhe pasqyrë e qytetërimit dhe civilizimit të një vendi”.
Në takim e ka marrë fjalën edhe kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama. Ai me humor ka përdorur një simbolikë me luanin e kopshtit zoologjik.
Edi Rama, Kryetar i Bashkisë Tiranë:- “Praktikisht luani, që do ta shikoni sot, ka degraduar në një figurë dydimensionale, po ta shikosh përball është vizë, sepse pasi i hoqën mishin dhe e zëvendësuan me bukë, tani e ushqejnë me barë. Ky është një shembull që flet më shumë se sa çdo lloj shifre apo pakti tjetër për degradimin total të menaxhimit që i është bërë pushtetit vendor dhe njëkohësisht edhe për degradimin total të konceptit të të drejtave dhe lirive në demokraci”.
Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë të gjithë të zgjedhurit lokal, përfaqësues të gjitha partive politike. Në përfundim të mbledhjes, Meta ka takuar dhe ka biseduar me të zgjedhurit vendor të opozitës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego