Dy aksione të policisë së Tiranës, arrestohen 7 persona – (4 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Dy persona bien në pranga pas një aksioni blic të policisë së Tiranës. Sot rreth orës 18, tre furgonë të komisariatit 2 të policisë dhe forcave speciale të Briskut, u vunë në ndjekje të një makine tip Benz me targa të Tiranës. Për minuta të tëra ka vazhduar ndjekja në rrugët e Tiranës, ku nuk munguan dhe të shtënat në ajër nga policia, derisa ku pranë shkollës “11 Janari”, makina Benz përplaset me një makinë të parkuar, që për rastësi ishte makinë e policisë dhe Benzi ndalon mbi trotuar.
Ndërsa ishin ende të shokuar, dy të ndjekurit e policisë janë nxjerrë nga makina ku janë prangosur dhe më pas janë shoqëruar në polici. Sipas drejtorit të policisë së Tiranës, Bilbil Mema, dy të arrestuarit nga një qytet verior, kishin të fshehur në makinën e tyre me targa të Tiranës, një automatik, një granatë dhe disa maska. Sipas tij, sinjalizimi që i ishte dhënë policisë para aksionit, ishte pikërisht armëmbajtja, dyshim që pas këtij aksioni model rezultoi i vërtetë. Dy personat, emri i të cilëve për efekt hetimi mbahet sekret, tashmë duhet të përgjigjen për armëmbajtjen pa leje dhe për kundërshtim të urdhrave të policisë.
Në po të njëjtën kohë, një tjetër aksion i suksesshëm është realizuar nga reparti Shqiponja i kryeqytetit, pranë korpusit Universitar, ku u arrestuan pesë vetë, që për pak po vriteshin me njëri-tjetrin. Dy aksionet e sotme të policisë, treguan një nivel profesional në parandalimin e krimit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj