Telekomi: Tarifat e telefonit në Shqipëri më të ultat në rajon – (4 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Tarifat e pagesës së telefonit të shtëpisë në Shqipëri, janë dy herë më të lira se në vendet e tjera. Këto tarifa janë publikuar nga Telekomi shqiptar, që në vitin ’96, kur u bë dhe liberalizimi i çmimeve dhe përllogaritja me impulse. Tarifa e instalimit të telefonit të shtëpisë kushton 12 mijë lekë të reja, ndërsa telefoni që përdoret për shërbim pune, kushton 40 mijë lekë të reja.
Në telefonat e shtëpisë, përllogaritja e pagesës fillon që me ngritjen e telefonit. Kështu abonenti familjar, nëse harxhon vetëm 200 impulse, këto i llogariten me 1 lekë të ri, nga 200 impulse të harxhuara deri në 300, i llogariten me 3 lekë të reja, nga 300-500 impulse me 5 lekë të reja dhe mbi 500 impulse me 7 lekë të reja. Kjo llogaritje ndryshon tek telefonat e shërbimit. Tarifimi i bisedave që realizohet nëpërmjet impulseve tani regjistrohet në kontaktorin kompjuterik, për t’i dhënë fund vjedhjes së përfolur nga Telekomi./tvklan.al