Italia dhe Franca nën pushtetin e ujit


Italia dhe Franca nën pushtetin e ujit

14:15 03/10/2020

Meteorologët parashikojnë përkeqësim të motit për ditët në vijim

Moti i keq ka përfshirë të gjithë jug-lindjen e Francës duke sjellë përmbytje të shumta dhe dëme materiale. Sipas asaj që raportojnë mediat franceze dyshohet se 12 persona rezultojnë të zhdukur pasi rrjedha e fuqishme e ujit i ka marrë përpara.

Në zonat përreth Nicës lumenjtë kanë shkatërruar disa prej rrugëve si dhe rrezikojnë të dalin nga shtrati. Në terren janë angazhuar mbi 700 forca të ndihmës së shpejt si dhe zjarrfikës.

Era e fortë ka lënë pa energji elektrike një pjesë të madhe të banorëve. Autoritetet franceze i kanë bërë thirrje qytetarëve në jug të vendit që të kenë kujdes pasi parashikohet që shirat të vazhdojnë edhe gjatë orëve në vijim.

Shumë shtëpi janë dëmtuar, ndërkohë që komuna Saint-Martin-Vésubie ka pësuar dëme të konsiderueshme ku rrebeshet kanë shkatërruar disa rrugë dhe ura.

Ndërkaq përmbytjet kanë përfshirë edhe veriun e Italisë. Mbrojtja Civile lëshoi alarmin e kuq në Liguria, Lombardia dhe Veneto. Po ashtu edhe Venecia sipas autoriteteve pritet të përfshihet nga moti i keq.

Rrjedha e fuqishme e ujit ka përmbytur disa shtëpi në Liguria. Linjat hekurudhore janë pezulluar për të shmangur aksidentet nga fryrja e lumenjve. Rrëshqitje toke ka pasur edhe në provincën Costa d’Oneglia.

Sipas meteorologëve dita e sotme pritet të sjellë përkeqësim të motit , jo vetëm në veri të vendit por edhe në rajonet qendrore, duke u shoqëruar me reshje shiu, stuhi si edhe erëra të forta. Autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve që të kufizojnë lëvizjet dhe të tregohen të kujdesshëm.

Tv Klan






Të ngjashme