Zhduken 3 persona
Policia nis kërkimet pas kallëzimit nga familjarët
Tre persona, të afërm mes tyre rezultojnë të zhdukur që prej ditës së shtunë në Malësinë e Madhe. Burime zyrtare të policisë sqarojnë se rreth orës 17:30 të së dielës, në Komisariat ka shkuar O. Ç., banues në fshatin Bajzë dhe ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me vëllain e tij 37-vjeçar dhe 2 kushërinjtë. Kjo ka bërë që autoritetet policore të nisin punën për gjetjen e personave në fjalë.
“Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, ka bërë kallëzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe se me datë 03.10.2020, rreth orës 15:00, ka humbur kontaktet me vëllain e tij shtetasin V. Ç. 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinj) shtetasit K. P. 21 vjeç, dhe D. P. 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe. Shërbimet e Policisë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi O.Ç, kanë nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al