Mblidhet tryeza e partive të djathta – (6 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Partitë opozitare shqiptare të mbledhura sot në një tryezë të përbashkët, kanë rënë dakord për të kërkuar ribërjen e zgjedhjeve lokale, atje ku janë vërejtur manipulime. Kështu partitë e djathta, i kanë cilësuar zgjedhjet jo të lira dhe jo të ndershme, ku pushtetarët aktualë direkt imponuan shkeljen e të gjithë standarteve demokratike, që garantojnë votën e lirë.
Këto parti kanë rëne dakord, të ftojnë një mision faktmbledhës ndërkombëtar për t’u njohur me argumentet që ofron opozita, lidhur me zgjedhjet e 1 dhe 15 Tetorit. Deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga të gjitha partitë e djathta, thuhet se opozita angazhohet për të krijuar një vullnet politik qeverisës, që garanton mbrojtjen e votës së lirë.
Këto parti kanë vendosur në tryezën e sotme, të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre edhe në të ardhmen, gjë që nënkupton bashkëpunimin në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego