Basha: Rama përsërit premtimet e pambajtura
“Ekonomia në tym, të zbatojë planin e opozitës”
Sipas Lulzim Bashës, kryeministri Edi Rama po përsërit premtimet e pambajtura. Gjatë një komunikimi me gazetarët, ai u pyet rreth vendimit të fundit të qeverisë për të rritur pagat e bluzave të bardha dhe mësuesve, ku tha se Rama për momentin e ka kuptuar që po gjendet përballë një bilanci negativ.
“Premtime të pambajtura të këtij kryeministri dhe kësaj qeverie për 7 vite keni kaq shumë saqë vetëm po t’i vini në sinkron do t’ju duhet 10 orë për të përsëritur premtimet e pambajtura në 7 vite të pushtetit. Të gjithë e kuptojnë që i gjendur përballë një bilanci negativ që rendojnë mbi xhepat e shqiptarëve ky njeri nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër veçse të përsërisë ato premtime të pambajtura. 300 mijë vende pune ka çuar 500 mijë shqiptarë jashtë vendit. Shëndetësia falas, shëndetësia për faqe të zezë, ndërsa për 7 vite me radhë nuk pati rritje pagash, por indeksioni për inflacionin ishte më i ulët se vetë inflacioni. Nuk mendoj se shqiptarët sot presin të dëgjojnë premtime të tjera nga dikush që ka 7 vite që nuk mban premtimet e tij. Shqiptarët presin ndryshim”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi sot një varg takimesh me bizneset e taksive në qytetin e Tiranës. Ai u prezantoi atyre planin e tij për përgjysmimin e taksës së qarkullimit. Basha tregoi edhe planin e Rimëkëmbjes me 5 pika për biznesin e taksive në 6 muajt e ardhshëm.
“Çeku prej 1000 eurosh për gjashtë muajt e ardhshëm mbulon kostot e larta të licencës, taksave lokale dhe shërbimeve teknike shtesë, që taksistët kanë vite që s’i përballojnë dot; Pagesa mujore shtesë prej 160 mijë lekësh për ata që kanë humbur punën, shtesa prej 20 mijë lekësh për të gjithë pensionistët dhe nxitja e ripunësimit duke ndihmuar me 20 mijë lekë në muaj bizneset për çdo ripunësim; E gjithë paketa do të ndihmojë konsumin me mbi 300 milion euro dhe do të zbusë ngërçin e konsumit në tërësi”, tha Basha. /tvklan.al