Gurë, domate dhe vezë. Protestuesit e PD-së gjuajnë drejt Kryeministrisë (12 Nëntor 2000)
Forcat e policisë kanë ndaluar 7 persona të cilët dje gjatë protestës së PD-së përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Rendit kanë goditur me gurë dhe sende të forta makinën e policisë. Mbi këta 7 persona rëndon vepra penale e kundërshtimit të punonjësve të policisë, goditje për shkak të detyrës dhe shkatërrim të pronës shtetërore. Dhe gjatë mitingut të sotëm të Partisë Demokratike janë goditur me gurë, domate dhe vezë xhamat e Ministrisë së Rendit dhe Kryeministrisë.
Gjithshtu ka patur plasje kapsollash përpara Kryeministrisë. Sipas drejtorit të policisë të Prefekturës së Tiranës Bilbil Mema, policia ka shoqëruar deri tani në komisariat 50 persona, autorë të këtyre ngjarjeve. Kjo është hera e dytë brenda 4 ditëve që pjesëmarrësit në mënyrë të paligjshme të mitingut të Partisë Demokratike sulmojnë me mjete të forta institucionet shtetërore./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori