Shqipëria dhe BERZH nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi


Shqipëria dhe BERZH nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

12:41 08/10/2020

Qeveria shqiptare ka nënshkruar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim një memorandum mirëkuptimi në mbështetje të anëtarësimit në BE dhe marrëveshje financimi për zhvillimin e turizmit.

Kreu i qeverisë e konsideroi një hap të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ai tha se kjo do të jetë një instrument shtesë që do ta ndihmojë vendin tonë në procesin e integrimit europian.

“Është një hap i rëndësishëm ky memorandum që po nënshkruajmë sot, i cili njeh plotësisht objektivat tona të integrimit në BE duke integruar politikën e angazhimit, ndihmën teknike, investimet. Ai përbën një instrument shtesë dhe mjaft të vyer që me mjaft shpresë do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur shpejt me kapitujt e legjislacionit komunitar. E dimë mjaft mirë që për të qenë efektivë në marrjen e këtyre parave dhe zbatimin e këtij vizioni duhet sa më shumë ndihmë nga pikëpamja e ekspertizës. shpresoj fort që banka juaj, e cila është një bankë plot për plot me para do të vijojë të na ndihmojë në këtë proces. Nënshkrimi i marrëveshje të përmirësimit të infrastrukturës turistike është pjesë e kësaj. Ky program është mjaft i mirë pritur sepse përfshin një paketë të plotë të riparimeve dhe zhvillimeve të zonave të trashëgimisë”, tha Rama.

Në fund kreu i qeverisë u ndal edhe tek projektet madhore në Shqipëri. Rama u shpreh se shpreson që hekurudha Tiranë-Durrës të jetë pjesë e një rrjeti rajonal hekurudhor.

“Ka tashmë një angazhim të jashtëzakonshëm nga BE-ja dhe KE-ja për ta ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin mbështetur në vizionin e një tregu të vetëm rajonal dhe në dritën e zbatimit të 4 lirive të Europës, për të investuar në vëllime të tilla që mund ta ndryshojnë tërësisht peizazhin. Shpresoj që kjo hekurudhë Tiranë Durrës të jetë pjesë e diçkaje që do të bëhet rrjet rajonal hekurudhor. Sa i takon aspektit digjital, mendoj se duhet që të bëjmë të gjithë sëbashku ç’të mundemi për ta nxitur, për të pasur një shtyllë kryesore digjitale”, tha Rama. /tvklan.al






Të ngjashme