KKRT për tatimet e medias private – (15 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Me licencimin e të gjitha televizioneve private, Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve, ka hapur garën e mbijetesës ekonomike të tyre përball taksave dhe tatimeve që duhet të paguajnë tani e tutje shtetit. Krahas dy televizioneve kombëtare TV Klan e TVA, janë licencuar për transmetime rajonale deri në katër prefektura, si TV Shijak, TV Ballkan, Vizion TV, Telenorba Shqiptare.
Në lidhje me pretendimet e stacioneve konkurrente për licencë kombëtare, kryetari i komisionit parlamentar të Medias Halil Lalaj sqaron.
Halil Lalaj:- “Nuk lejohet asnjë stacion, të atashohet pranë një grupimi të caktuar politikë, të shtetit, të bankave etj. Në shtyp sot u njoha për Telenorbën i cili ka marrë leje për të transmetuar nga TVSH, duke iu vënë në dispozicion antenat. Ky është një problem, që është bërë në kushte të tjera dhe tashmë gjithçka do të rikuperohet dhe do të vendoset në bazat e përcaktuara nga ligji”.
Mbijetesa e stacioneve televizive private të licencuara, do të varet tashmë edhe nga konkurrenca e lirë dhe respektimi i të drejtave të televizive, çka do të eleminojë nga ekranet siglat e huaja./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame