Këshilli Kombëtar i PD vendos për vazhdimin e protestave – (18 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, ka vendosur sot vazhdimin e protestave në të gjithë vendin, kundër manipulimit të votave. Kryetari demokrat Sali Berisha, kërkoi që krahas vazhdimit të protestave, të plotësohen me fakte të tjera dosjet e manipulimit. Berisha përshëndeti raportin e Këshillit të Europës për ndryshimin e KQZ dhe korrigjimin e listave të votuesve. Pas mbledhjes së këshillit kombëtar demokratët vijuan me mitingun e zakonshëm në sheshin “Skënderbej” dhe protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Është çnjerëzore sulmi ndaj të rinjve në Tiranë, nga një gjak shtrigash, kundër adoleshentëve dhe të rinjve të Tiranës, nga bandat të veshura me uniformë. Në raste të shumta kanë arrestuar dhe fëmijët e eksponentëve socialistë, duke menduar se edhe këta janë fajtor për mitingjet e PD. Çdo natë dhomat e komisariateve, që ngjajnë me dhomat e gestapove, mbushen me fëmijë që i përplasin duke iu vërsulur me shkopinj e grushta. Kurrë ndonjëherë fëmijët e Shqipërisë nuk kanë njohur tortura si këto”.
Vargun e mitingjeve në rrethe demokratët do ta nisin me Durrësin, për të vazhduar me qytetet kryesore, ku manipulimet rezultojnë më të mëdha./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame