KQZ, ndarja e zonave elektorale – (24 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Komisioni Qendror i ndarjes së zonave elektorale për zgjedhjet parlamentare të Qershorit, do të publikojë projektin paraprak, i cili do të diskutohet gjatë dy javëve të ardhshme me partitë politike. Në Qershor në 100 zona elektorale do të zgjidhen 100 deputetët e rinj të parlamentit. Sekretari i KQZ, Sokol Shazi, shprehet se brenda 15 Janarit, parlamenti do të kthejë në ligj, ndarjen e re të 100 zonave elektorale.
Sokol Shazi:- “Do të merret një bazë dhe ligji thotë, merren listat e zgjedhësve të muajit Gusht të vitit 2000. Pra kjo është një bazë, çfarëdo riparimi që mund të bëhet, sido që të gjykohet ajo, sigurisht që do të pasqyrohet dhe koha është e mjaftueshme. Kjo është relativisht e thjeshtë, këtu s’ka fare pse ngatërrohen gjërat. Ky është një komision ekspertësh, teknikësh, që do ia paraqesë partive”.
Në projektin paraprak në qarkun e Tiranës, do të zgjidhen 18 deputetë, në qarkun e Shkodrës 8 deputet, në atë të Durrësit 5 deputetë, në qarkun e Elbasanit 11 deputet, në qarkun e Vlorës 6 deputetë, në Korçë 9 deputetë dhe në Fier po 9 deputetë. Në qarkun e Dibrës do të zgjidhen 6 deputetë, në Kukës 3 deputetë, në Berat 4 deputet dhe dy ose një deputet në zonat e tjera elektorale./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame