Spartakiada e punonjësve të industrisë – (27 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Në kuadër të festave të Nëntorit, me nismën e këshillit drejtues të federatës të punonjësve të industrisë, organizuan në qendrën “Don Bosko” spartakiadën kombëtare e punonjësve të industrisë së Shqipërisë. Flamur Berdëllima, punonjës i propagandës pranë kësaj federate thotë:
Flamur Berdëllima:- “Sot është vërtet një ditë e veçantë që mbart mesazhin shumë të thjeshtë, se njeriu nuk duhet të jetojë vetëm për bukën e gojës dhe njeriu i thjesht madje. Ne jemi dëshmitarë se si VIP-at tanë, nën dritat e fuqishme të prozhektorëve të stadiumit “Qemal Stafa”, nuk e kanë problem të bëjnë ndeshje mes tyre, apo mes deputetëve, por ky vend ka edhe punëtor, që duan ta jetojnë jetën në dimensionin e tyre maksimal”.
Ekipet që do të marrin pjesë janë 7 nga Shqipëria dhe një ekip nga Kosova. Këto ekipe do të matin forcat e tyre me sporte të tilla si minifutbolli, tërheqje litari, volejboll, etj. Ideja e organizimit të kësaj spartakiade buroj nga dëshira për t’i dhënë një nuancë më të gëzueshme, jetës së punonjësve. Kjo veprimtari u mbështet financiarisht nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, porti detar Durrës, qendra sociale “Don Bosko” në Tiranë, si dhe Qendra Kombëtare e Fëmijëve në Tiranë./tvklan.al