Rriten infektimet edhe në Kosovë
Qeveria paralajmëron shtrëngim të masave
Pas një stabiliteti me pandeminë Kosova ditëve të fundit sërish ka shënuar rritje të numrit të rasteve me Covid-19. Janë trefishuar numrat e personave që rezultojmë pozitiv në raport me personat e shëruar.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar shtrëngim të masave të cilat sipas tij do të jenë në dy faza ditore duke përfshirë edhe sektorin e gastronomisë.
Sipas tij dënimet do të jenë të ashpra për mosrespektim të masave ndërsa mbyllja do të jetë opsioni i fundit.
“Nuk do të lejojmë as si Ministri e Shëndetësisë e as si institucione të tjera që janë përgjegjëse për zbatimin e masave, e as si qeveri e Republikës së Kosovës, që çdo kush nga mosrespekti, moskujdesi, mosrespektimi i masave ta kthejë Kosovën në një rrezik”.
Ministri Zemaj ka kërkuar nga policia, inspektorati sanitar e shëndetësor të zbatojnë vendimet e reja në pajtim me situatën. Të gjitha institucionet qendrore e lokale është marrë vendim të ndalin seminaret, punëtoritë dhe format e tjera të organizimeve ku ka grumbullim.
Ka kërkuar gjithashtu shtim të kontrollit në pikat kufitare, ndërsa ka thënë se duhet të posedojnë testin që dëshmojnë se janë negative në Covid-19 të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet që janë në listën e ECDS-së.
Ndërkohë policia është duke u treguar më e rreptë në shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk respektojnë masat antiCovid. Vetëm në 24 orët e fundit policia ka shqiptuar 1134 gjoba për mosrespektim të këtyre masave.
Tv Klan