Komedia “6 vjet shtatëzënë” premierë në Akademinë e Arteve të Bukura (1 Dhjetor 2000)
“6 vjet shtatëzënë” komedia tragjiko-lirike është shfaqur premierë në mbrëmje në skenën e Akademisë së Arteve të Bukura. Me regji të Kiço Londos dhe përkthyer nga Vasilika Londo, vepra mban autorësinë e Babis Cikoropulos. Për autorin grek kjo është e dyta që ngjitet në skenën shqiptare, pas komedisë së parë “Kopshti me dallëndyshe”.
“6 vjet shtatëzënë” trajton temën e dashurisë, por me një tronditje të thellë psikologjike. Protagonisti kryesor që luhet nga Robert Ndrenika pëson një shok të fortë psiqik pasi zë në flagrancë gruan me një mikun e tij. Më pas ai vuan shtatëzaninë e gruas së tij dhe pret një bebe fantazëm që nuk do të lindë asnjëherë. Në këtë komedi interpretojnë aktorë të njohur të skenës së teatrit si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Vasillaq Vangjeli, Enkela Paskali dhe Arben Derhemi.
“6 vjet shtatëzënë” është luajtur dy javë më parë në Teatrin Kombëtar Grek dhe shumë shpejt trupa greke do t’a luajë atë dhe në vendin tonë pasi ka nënshkruar një kontratë me trupën shqiptare./tvklan.al