RENEA çliron ujësjellësin në Kukës nga fshatarët rebelë të Kolosianit – (5 Dhjetor 2000)


RENEA çliron ujësjellësin në Kukës nga fshatarët rebelë të Kolosianit – (5 Dhjetor 2000)

12:03 05/12/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Çlirohet ujësjellësi i Kolosianit, që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij. Sipas disa burimeve gjithçka ka ndodhur pas një operacioni nga toka dhe ajri e forcave speciale RENEA. Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe helikopterët e policisë, që së bashku me trupat e saj elitë kanë arritur të çlirojnë rubinetin e burimit nga banorët protestues të Kolosianit.

Këta banorë kishin bllokuar për disa ditë ujësjellësin, duke kërkuar kompensim nga qeveria. Kjo kërkesë është rikthyer në këtë fshat që pas vitit 1997. Sa herë që acarohen problemet me sfond politik në zonën verilindore të Shqipërisë, Ndërhyrja e policisë, për t’i risjellë ujin mijëra banorëve të Kukësit dhe fshatrave pranë tij, ka ardhur pas dështimeve të bisedimeve të përfaqësuesve të prefekturës me fshatarët rebel.

Në këto kushte, dje pasdite vonë, pjesëtarët e skuadrave të RENEA-s kanë zbritur nga helikopterët mbi lartësitë dominuese rrotull Kolosianit, duke detyruar rebelët të dorëzojnë armët. Sot në mëngjes Kukësi dhe banorët rrotull tij pas katër ditësh janë përsëri me ujë në rubinetat e shtëpisë së tyre./tvklan.al






Të ngjashme