Ndarja e çmimeve “Penda e Artë” dhe “Penda e Argjend” – (13 Dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Ndarja e çmimeve “Penda e Artë” dhe “Penda e Argjend”, që organizohet çdo vit nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, konsiderohet si ngjarja më e madhe e vitit. Kësaj here juria që ka zgjedhur dhe vlerësuar veprat letrare ka qenë e përbërë nga profesor Gjergji Zheji, kryetar i kësaj jurie, shkrimtari dhe përkthyes Dionis Bubani, doktor Ymer Çiraku, doktor Stefan Çapaliku dhe shkrimtari Teodor Keko.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i jurisë, i cili theksoi, se juria është përpjekur të vlerësojë dhe të seleksionojë në mënyrë korrekte, midis veprave të botuara në vitin 1999. Kështu sipas këtij vlerësimi çmimi “Penda e Argjend”, i jepet këtyre shkrimtarëve: në poezi shkrimtarit Preç Zogaj me librin “Kalimi”, në prozë Fatos Kongoli me romanin “Dragoi i Fildisht”. Libri më i mirë për kritikën letrare, “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, me autor Jorgo Pulo. Përkthimi më i mirë në shqip, libri me tregime “Armët e fshehta”, përthyer nga Aurel Plasari. Në letërsinë për fëmijë çmimi i jepet shkrimtarit Petraq Zoto, me romanin “Burimi i drerit”.
Ndërsa çmimi “Penda e Artë” është dhënë nga vetë ministrja e Kulturës Esmeralda Uruçi dhe fitues këtë vit është shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, me motivacionin “Mjeshtër i shkëlqyer dhe i rrallë i letërsisë shqipe”. Në mungesë të shkrimtarit të madh, çmimi iu dorëzua përfaqësuesit të shtëpisë botuese Onufri./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora