Basha i quajti fasadë, Rama publikon anëtarët e Komitetit
Kryedemokrati: Spitalet në kolaps, paratë ndahen me mafien e plehrave
“Nuk mund të fshihet pas një grupi ekspertësh. Këta janë ekspertët e vërtetë, të tjerët janë një fasadë”
Pas këtyre akuzave të Lulzim Bashës se Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë është fasadë, Kryeministri Rama i është kundërpërgjigjur duke publikuar një video në rrjetet sociale.
Në materialin afro pesë minuta shfaqen emrat dhe formimi profesional i atyre që përcaktojnë strategjinë e gjurmimit të COVID-19 si dhe udhëzojnë qeverinë në çdo hap për masat e nevojshme për menaxhimin e situatës me pandeminë.
Pavarësisht publikimit të kësaj videoje, kreu i opozitës i vijoi sërish akuzat në adresë të kryeministrit Rama, duke e bërë atë përgjegjës për kolapsin që po kalojnë spitale COVID.
“Rama ka humbur çdo kontroll mbi pandeminë. Kemi testimet më të ulëta në Europë, numrin më të ulët të mjekëve dhe spitalet në kolaps vetëm sepse ai nuk heq dorë nga vjedhja me inceneratorë e koncesione. Pasi shkatërroi ekonominë tani ai po shkatërron jetën dhe shëndetin e njerëzve”.
Për deklaratën e bërë nga kreu i opozitës të shtunën reagoi edhe Komiteti teknik i ekspertëve duke hedhur poshtë akuzat e kryedemokratit dhe duke i kërkuar këtij të fundit të heqë dorë nga përpjekja për baltosjen e punës së autoriteteve shëndetësore në këto kohë të pandemisë.
Tv Klan