QSUT, ashensori i prishur në spitalin 1 – (1 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Pas këtyre pajisjeve ndodhen dyert e ashensorit të katit të parë në klinikën e sëmundjeve të brendshme. Prej disa muajsh ky ashensor nuk punon. Pas amortizimit prej 25 vjet, ashensori i vjetër u ndërrua me të ri. 13 mijë dollarë kushtoi pajisja, e cila u vendos në muajin Shtator, por që nuk punoi asnjëherë. Kusuret i vuajnë të sëmurët që duhet të ngjisin dhe zbresin 6 katet e spitalit. Selam Shkurti, mjek në urgjencën e klinikës së sëmundjeve të brendshme thotë:
Mjeku Selam Shkurti:- “Kjo është barela, me të cilin kemi transportuar një ditë një burrë 140 kile, nga këtu në kat të tretë. Ka pesë muaj që ka përfunduar ashensori, kanë bërë llogaritë gabim dhe vete deri në kat të 5-të. Kështu që ne na duhet veç punës që bëjmë dhe vështirësive që kemi, të bëjmë dhe punën e hamallit edhe mjekët edhe personeli dhe të gjithë”
Si mjekët, pacientët e shtruar, ashtu dhe familjarët që vizitojnë të afërmit, ashensorin këtu e shohin mjaft të domosdoshëm. Sipas mjekëve me gjithë restaurimet që janë bërë këtu, firma që solli ashensorin u zhduk si fantazmë, pa e vënë asnjëherë në punë atë./tvklan.al