Kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus vetëizolohet prej koronavirusit
Kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus ka njoftuar se do të vetë karantinohet pasi ka pasur kontakte me dikë që ka dalë pozitiv me koronavirus.
Duke nënvizuar rëndësinë e protokolleve të sigurisë për të trajtuar përhapjen e Covid-19, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë përmes një postimi është shprehur se është mirë, nuk ka simptoma dhe po punon nga shtëpia.
“Unë jam mirë dhe pa simptoma, por do të vetëkarantinohem gjatë ditëve të ardhshme, në përputhje me protokollet e OBSH-së dhe do të punoj nga shtëpia. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të jemi në përputhje me udhëzimet shëndetësore. Kjo është mënyra se si ne do të thyejmë zinxhirët e transmetimit të COVID19,të shtypim virusin dhe të mbrojmë sistemet shëndetësore “, tha Ghebreyesus.
Ai tha se së bashku me kolegët e tij në OBSH do të vazhdojnë të angazhohen me partnerë në solidaritet për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur të prekshmit.
Deri në mesditën e së hënës, ka pasur afërsisht 46.1 milion raste të konfirmuara me Covid-19 në të gjithë botën dhe 1.1 milion vdekje. /tvklan.al