Basha: Teknologjia për mësimin online, inekzistente
“Pedagogët po largohen jashtë shtetit”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me pedagogë nga universitete të ndryshme.
Në takim Basha vuri në dukje disa nga problemet që do të përballen studentët dhe pedagogët në këtë vit të ri akademik, ndikuar dhe nga situata e COVID-19. Numri një i PD tha se infrastruktura, teknologjia për mësimin online janë inekzistente dhe sipas tij çdo gjë është larg standardeve.
“Asgjë nga këto që po ndodh nuk është e papritur. Në mars pandemia na kapi pa përgatitur por tani kemi pasur kohë. Nga informacionet që mora, nuk janë marrë masat dhe njoftimi është bërë brenda një kohe të shkurtër. Infrastruktura, teknologjia për mësimin online janë inekzistente dhe ku është, është larg standardeve. Teknologjia dhe kapacitetet e universiteteve të pamjaftueshme për të zhvilluar një proces dinjitoz online”, tha Basha.
Gjatë takimit kreu i PD ka përmendur dhe një problem tjetër, që është largimi i pedagogëve jashtë vendit.
“Kam marrë vesh që në muajt e fundit janë larguar jashtë vendit 6 pedagogë nga Fakulteti i Ekonomisë. Ne kërkojmë që të kthejmë pedagogët që ikin dhe jo të largojnë. Kur të vijnë të kenë dhe ato pak përvoja që kanë fituar në vendet e tjera”, shtoi Basha./tvklan.al