Vatikani: Komentet e Papës për martesat e të njëjtit seks janë nxjerrë nga konteksti


Vatikani: Komentet e Papës për martesat e të njëjtit seks janë nxjerrë nga konteksti

13:10 03/11/2020

Pas premierës së filmit “Francesco”, të realizuar nga regjisori rus Evgeny Afineevsky në të cilin shfaqet Papa Françesku dhe komentet e tij lidhur me bashkimin civil të të njëjtit seks. Vatikani është përpjekur që përmes një letre të sqarojë fjalët e Papës për të cilat pati shumë reagime.  

Letra është dërguar më 30 tetor për përfaqësuesit papalë anembanë botës nga ana e Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit dhe në të thuhet se dy komentet e Papa Françeskut janë nxjerrë nga konteksti i tyre dhe nuk sinjalizojnë ndonjë ndryshim në doktrinën e Kishës.

Një zyrtar i lartë i Vatikanit ka konfirmuar vërtetësinë e letrës për CNN dhe është shprehur me fjalët se:

“Më shumë se një vit më parë, gjatë një interviste, Papa Françesku iu është përgjigjur dy pyetjeve të ndryshme në dy kohë të ndryshme, të cilat në dokumentarin e bërë nga regjisori rus janë redaktuar dhe janë botuar si një përgjigje e vetme gjë që ka çuar në konfuzion“.

Më tutje në letër shpjegohet lidhur me komentet e Papës në film se “ajo që na duhet është një ligj i bashkimit civil”. Vatikani sqaron se në fakt Papa po fliste për kundërshtimin e tij ndaj një ligji që lejonte martesat e të njëjtit seks në Argjentinë dhjetë vjet më parë, në kohën kur ai ishte Kryepeshkop i Buenos Aires.

Letra e Vatikanit pretendon se Papa “kishte folur për të drejtat e këtyre njerëzve për të pasur mbrojtje të caktuar ligjore”, por jo për lejimin e martesave mes tyre.

Në filmin “Francesco” Papa gjithashtu thotë se “Homoseksualët kanë të drejtë të jenë pjesë e familjes. Ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtë për një familje”, dhe ky koment u interpretua sikur Papa ishte në favor të çifteve të të njëjtit seks dhe krijimit të familjes mes tyre. Ndërkohë që, në letër thuhet se Papa po fliste për faktin se “një djalë apo bijë me një orientim homoseksual nuk duhet të diskriminohet kurrë brenda familjes”.

Pas premierës së filmit që u mbajt më në 21 tetor në Romë, regjisori Afineevsky tha për agjencinë Associated Press se ai kishte intervistuar personalisht Papën për dokumentarin e tij. Sidoqoftë, gazetarët më vonë zbuluan se pamjet e Papës që janë përdorur në film, ishin marrë nga një intervistë e vitit 2019 që kishte dhënë Papa për Televisa në Meksikë.

Filmi “Francesco”, gjithashtu eksploron punën dhe pikëpamjet e Papës në çështje të tjera, duke përfshirë ndryshimin e klimës, migracionin dhe barazinë ekonomike./tvklan.al






Të ngjashme