Qeveria dhe opozita përplasen për “Sami Frashërin”
Rama: Shkolla po rindërtohet. PD: U prish pas asnjë projekt
Qeveria dhe opozita kanë vijuar replikat e tyre lidhur me rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës lidhur me tjetërsimin pronësisë së truallit të kësaj shkolle, duke theksuar se ajo është pronë e Bashkisë Tiranë.
“Shkolla Sami Frashëri po rindërtohet. Projekti është absolutisht i shkëlqyer, puna aty ka nisur. Dokumentet e pronës janë publikuar edhe sot nga kryetari i Bashkisë”.
Ndërkohë që Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetes Jorida Tabaku akuzoi Bashkinë e Tiranës se prishi shkollën pa pasur një projekt dhe se punimet për rindërtimin e saj janë ndërprerë.
“Shkolla Sami Frashëri është thjeshtë një shembull korrupsioni, babëzie, paaftësie dhe arrogance që Bashkia e Tiranës ofron çdo ditë për qytetarët e saj. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe sepse fotokopja në krye të bashkisë do të bëjë të njëjtën gjë që bën edhe kryeministri”.
Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj publikoi një video që tregon se punimet në këtë kantier vazhdojnë normalisht.
Tv Klan