Vazhdon greva e urisë në Paskuqan – (6 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Këta grevistë kanë hyrë në ditën e 9 të grevës së urisë. Ata përfaqësojnë 1500 familjet e kodrës së kuqe në komunën e Paskuqanit. Grevistët vazhdojnë të insistojnë në kërkesat e tyre për drita, ujë, kanalizime, shkollë dhe ambulancë.
“Nga komuna kanë ardhur vetëm këshilltarët e komunës dhe kryetari i këshillit të komunës, të cilët e kanë mbështetur grevën tonë, e quajnë shumë të drejtë këtë grevë, kurse kryetari i komunës nuk ka marrë mundimin akoma me na taku. Ne kemi kërkesat kryesore tona për ujë e drita, që pa u plotësuar këto ne s’dalim nga greva”.
Të gjithë banorët e kësaj lagje janë të ardhur nga zonat verilindore dhe ka nga ata që nuk kanë as kushtet minimale të jetesës, si kjo familje që jeton në këtë çadër. Grevistët të thonë se ata duan në radhë të parë plotësimin e kërkesave më imediate, siç është problemi i energjisë elektrike dhe më pas edhe plotësimin e kërkesave të tjera. Ndërkohë përfaqësues nga prefektura e Tiranës, kanë biseduar me përfaqësues në ambientet e grevës. Zoti Irfan Hysolli, përgjegjësi i zyrës së shërbimeve shtetërore në prefekturën e Tiranës, na thotë:
Irfan Hysolli:- “Shqetësimet e paraqitura nga grevistët, pas takimit në ambientet e grevës me ta, ja bëmë prezent institucioneve përkatëse. Së pari brenda ditës së hënë do të fillojë ndërtimi i dy kabinave elektrike, për zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me energji, të banorëve të kodrës së kuqe, por natyrisht me zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi dhe ata duhet të ndërgjegjësohen për të zgjidhur përfundimisht pagesën e energjisë elektrike, e cila për atë zonë është në nivele minimale”./tvklan.al