SHBA | Zgjedhjet presidenciale 2020
Autori: Redaksia Tvklan.al
08:53 04/11/2020Amerika zgjedh Presidentin. Kandidati duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një të tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.
Shtetet e fituara deri më tani apo ku kryeson
Indiana, Kentucky, Oklahoma, Alabama, Arkansas, South Dakota, Tennessee, South Carolina, Missouri, Utah, Wyoming, North Dakota, Kansas, Ohio, Idaho, Louisiana, Mississippi, Texas, Montana, Florida, Nebraska, Iowa, West Virginia, Alaska, Georgia, North Carolina, Pennsylvania, Michigan.
Shtetet e fituara deri më tani apo ku kryeson
Arizona, Vermont, Delaware, Massachusetts, Maryland, New York, New Jersey, Colorado, Connecticut, California, Oregon, Washington, New Hampshire, Minnesota, New Mexico, Wisconsin, Illinois, Virginia, Maine, Hawaii.
Procesi i votimit vijon në disa prej shteteve kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe deri më tani nuk ka ende një fitues të përcaktuar në zgjedhjet presidenciale.
Çfarë duhet të dini për garën deri në këto momente:
Të gjithë sytë në Midwest: Procesi i numërimit është shumë larg përfundimit. Janë me miliona vota ende për t'u numëruar në shtete kyçe si Pennsylvania, Wisconsin dhe Michigan.
Numërimi vijon në Arizona dhe Georgia: Joe Biden rezulton të ketë arritur një fitore domethënëse në Arizona, një shtet të cilin e fitoi Trump në 2016-n.
Presidenti Trump tentoi të shpallte fitoren: Donald Trump bëri thirrje për ndalim të numërimit të votave dhe akuzoi demokratët se po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet.
Biden kryeson: Kandidati demokrat udhëheq në Kolegjin Elektoral, më 238 kundër 213. Kujtesë: Për t'u bërë president kandidatëve u duhen 270 vota elektorale. Duke folur para mbështetësve, Biden tha: "Kini besim, do ta fitojmë këtë garë".
Trump shpalli fitoren pa u numëruar ende votat, politikanët europianë kërkojnë durim
Politikanët europianë reaguan me kujdes pasi Donald Trump shpalli fitoren e rreme në zgjedhjet presidenciale, orët e para të mëngjesit të së mërkurës, duke paralajmëruar se një betejë ligjore mbi rezultatin do të kishte pasoja katastrofike për reputacionin global të demokracisë.
Pjesa më e madhe e liderëve qëndruan në heshtje, në pritje të zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve, ndonëse Ministri i Jashtëm spanjoll Aráncha González Laya, u bëri thirrje liderëve amerikanë që të presin derisa të gjitha votat të jenë numëruar.
Annegret Kramp-Karrenbauer, Ministrja e Mbrojtjes gjermane tha: “Kjo është një situatë shumë shpërthyese. Është një situatë që mund të çojë në një krizë kushtuese në SHBA, siç po thonë me të drejtë ekspertët. Dhe është diçka që duhet të na shkaktojë të gjithëve shumë shqetësim”.
“Populli amerikan foli. Teksa presim për rezultatin e zgjedhjeve, BE mbetet e gatshme për të ndërtuar një partneritet transatlantik të fortë, të bazuar në vlerat dhe historinë tonë“, theksoi shefi i Punëve të Jashtme të BE, Josef Borrel.
Nevada merr vendimin e papritur për numërimin e votave
Vullneti i amerikanëve nëse duan Donald Trump apo Joe Biden në krye të shtetit me shumë mundësi do të marrë përgjigje në fund të javës. Edhe pse zgjedhjet janë zhvilluar pa probleme, duket se ka vonesa tek numërimi i votave.
Kjo pasi kanë qenë 100 milionë persona që kanë votuar nëpërmjet postës, ndryshe nga çdo zgjedhje tjetër. Së fundmi është Nevada që ka marrë një vendim të papritur. Në këtë shtet është ndaluar numërimi i votave deri të enjten në mëngjes.
“Kështu që nuk do të dihet se çfarë do të bëhet deri atje. Fundi i kësaj jave do të jetë shumë i rëndësishëm për të vendosur fituesin”, tha një gazetar i Fox News.
Në një postim në Twitter, zyrtarë të Nevadës për zgjedhjet thanë se deri më tani janë numëruar votat e parakohshme, votat në ditën e zgjedhjeve dhe votat me postë të ardhura më 2 Nëntor.
Ky shtet ka vetëm 6 vota elektorale, por në fund mund të vendosin fituesin. Aktualisht sipas projeksioneve të CNN kryeson Joe Biden me 49.3% të votave, ndërsa Donald Trump ka vetëm 48.7%.
Edhe shtete si Pennsylvania, Nevada, Michigan e Georgia patën pezulluar gjatë natës numërimin, por çdo gjë rinisi në orët e para të mëngjesit.
8 shtetet që përcaktojnë ‘fatin’ e Presidentit të SHBA
8 janë shtetet që konsiderohen si kyçe në garën presidenciale në SHBA. Ato janë Florida, Ohio, Arizona, Pennsylvania, Georgia, Michigan, North Carolina, Wisconsin.
Përse kanë rëndësi?
Florida ka votuar pro kandidatit fitues në të gjitha garat presidenciale që prej vitit 1964. Është gjithashtu një prej shteteve me popullsinë më të madhe dhe me votat më të shumta të Kolegjit Elektoral.
Ohio është po ashtu një prej shteteve të mëdha që prej dekadash ka votuar fituesin. Në 2016-n, Trump e fitoi këtë shtet me marzh mbi 8 pikë.
Arizona votoi për kandidatin demokrat në 1996-n, por ky shtet është bërë gjithnjë e më kompetitiv për shkak të rritjes së elektoratit hispanik.
Pennsylvania është një prej shteteve më të mëdha që i dha fitoren Trump-it në 2016-n, duke u kthyer për herë të parë një vend republikan që prej 1992-t.
Georgia, një bastion republikan, jugu i tij është shndërruar në një fushëbetejë mes dy forcave politike, për shkak të rritjes së elektoratit me ngjyrë.
Michigan u fitua nga Trump në 2016-n me një marzh prej vetëm 0.2 pikësh, më i ngushti se në çdo shtet tjetër. Në të 6 zgjedhjet e mëparshme ky shtet kishte votuar në mënyrë sistematike demokratët.
Karolina e Veriut, historikisht republikane, po ashtu ka pësuar ndryshime përgjatë viteve të fundit. Të dhënat tregojnë se elektorati në këtë shtet ka ardhur drejt polarizimit. Qytetet kanë tendencën që të anojnë drejt demokratëve, ndërsa zonat rurale drejt republikanëve.
Wisconsin ishte me kandidatët demokratë te të gjitha zgjedhjet presidenciale nga 1988 deri në 2012-n, ndonëse shpesh me një diferencë shumë të ngushtë. Në 2016-n, Trump arriti që ta merrte këtë shtet.
Për të marrë presidencën, kandidatëve u duhen 270 vota. Deri më tani, Joe Biden ka fituar 238 vota elektorale, ndërsa Donald Trump, 213.
Menaxherja e fushatës së Biden: Deklaratat e Trump, skandaloze
Menaxherja e fushatës së Joe Biden, Jen O’Malley Dillon doli me një deklaratë të fortë për mediat pas fjalimit të Donald Trump.
"Deklarata e Presidentit sonte, në përpjekje për të mbyllur numërimin e votave të hedhura rregullisht ishte e skandaloze, e paprecedentë dhe e pasaktë. Ishte skandaloze sepse është një përpjekje e pastër për të hequr të drejtat demokratike të qytetarëve amerikanë", Jen O’Malley Dillon.
Protesta në SHBA, disa të arrestuar në Seattle
Gjatë natës së zgjedhjeve në Amerikë ka pasur disa protesta në qytete të ndryshme të vendit organizuar nga mbështetësit e dy partive të mëdha apo edhe grupeve të tjera të interesit.
Mediat amerikane shkruajnë se 8 qytetarë janë arrestuar gjatë demonstratave në Seattle. Sipas autoriteteve gjatë natës atje janë mbajtur nën monitorim dy grupe të ndryshme ndërkohë që marshonin në qytet.
Demonstratat janë konsideruar si anti-policore dhe mbështetëse të personave me ngjyrë e jo domosdoshmërisht janë të lidhura me zgjedhjet.
Megjithatë gjatë natës, protestuesit dogjën një flamur të Donald Trump në një parkim makinash. Për shkak të kësaj, 8 persona u arrestuan. Asnjë oficer policie nuk është lënduar gjatë incidenteve.
NBC i pret fjalën Trump: Po thotë gjëra të pavërteta
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se një mashtrim i madh po i bëhet popullit amerikan dhe se ai do të luftojë për zgjedhjet në Gjykatën Supreme.
“Ne i fituam këto zgjedhje”, deklaroi Trump. Më tej ai shtoi se miliona qytetarë votuan për të, ndërsa shtoi se një grup njerëzish po përpiqet që të hedhë poshtë atë rezultat.
“Ne po përgatiteshim për një festë të madhe. Po fitonim gjithçka, por papritur çdo gjë u anulua”, tha ai.
Një mashtrim i madh po kryhet sipas presidentit amerikan, megjithëse nuk dha asnjë provë. Sidoqoftë këto deklarata nuk janë pritur mirë nga rrjeti NBC, i cili i preu fjalën Trump gjatë konferencës live.
“Ka pasur disa deklarata që janë të pavërteta. Presidenti ka përmendur disa shtete si Georgia ku thotë se po fiton, apo se nuk ka ndonjë mënyrë që ta kapin në Pensilvani, por fakti është se ato shtete nuk kanë arritur të numërojnë të gjitha votat e tyre”, u shpreh gazetarja.
Deri më tani rivali i Trump, Joe Biden është duke udhëhequr garën për zgjedhjet presidenciale. Megjithatë është herët për të folur për rezultatet përfundimtare pasi shumë shtete të rëndësishme nuk kanë përfunduar numërimin.
Trump shpall fitoren dhe paralajmëron së do t'i drejtohet Gjykatës së Lartë.
Në një deklaratë nga Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump deklaroi fitoren në zgjedhje, edhe pse numërimi i votave është ende në proces. Ai tha gjithashtu se "Miliona njerëz votuan për ne. Një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t'u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë." Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues.
"Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë. Ne po përgatiteshim t'i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi. Ky është një moment i madh, është një mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t'i drejtohemi Gjykatës së Lartë."
Biden: Jemi në rrugë të mbarë
Kandidati demokrat, Joe Biden dhe bashkëshortja e tij Jill dolën para mbështetsve në Wilmington të Delaware.
"Jam këtu sonte për t'ju thënë se besojmë që jemi në rrugën e duhur për t'i fituar këto zgjedhje. Asgjë nuk ka mbaruar derisa të numërohet vota e fundi".
Kur shpallet Presidenti
Amerikanët presin që ta njohin sot presidentin e tyre të ardhshëm megjithatë procesi i zgjedhjeve nuk kompletohet kaq shpejt. Fituesi zakonisht shpallet natën e zgjedhjeve për shkak se organizatat amerikane kanë informacionet e nevojshme që të bëjnë një projeksion të saktë të fituesit.
Çfarë dihet për rezultatet e zgjedhjeve?
Koha dhe data që do të dimë rezultatin e saktë të zgjedhjeve presidenciale 2020 varet nga disa faktorë. I pari, çdo shtet do të vijojë të numërojë votën popullore dhe të certifikojë rezultatin disa ditë, madje edhe javë, pas votimeve. Shtete të ndryshme kanë afate të ndryshme për certifikimin e rezultateve.
Për shembull Delaware ka afat dy ditë pas ditës së votimit. New York dhe California, kanë më shumë se një muaj kohë, 7 Dhjetor dhe 11 Dhjetor përkatësisht.
Pasi disa shtete certifikojnë rezultatet të zgjedhurit në Kolegjin Elektoral mblidhen më 14 Dhjetor në shtetet respektive dhe japin një votë për Presidentin dhe një për zv/Presidentin.
Këto rezultate jepen më pas në Capitol, ku më 6 Janar 2021, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të takohen në një sesion të përbashkët për të numëruar votat elektorale.
Kur votat të numërohen dhe një palë të marrë 270 vota ose më shumë, Zëvendëspresidenti, i cili në atë momente qëndron si President i Senatit, do të shpallë rezultatin.
Kjo më pas i hap rrugën Presidentit dhe Zv/Presidentit të ardhshëm që të marrë detyrën më 21 Janar.
Kush e shpall fituesin e zgjedhjeve?
Shumë besojnë se fituesi i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përcaktohet kur shtypi shpall emrin dhe kur kandidati tjetër shpall humbjen. Por realiteti është ndryshe. Shpallja zyrtare e fituesit është një proces disa mujor që nuk përfundon deri në Janar.
Ditën e votimit, zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral. Në Dhjetor ata takohen dhe votojnë për presidentin dhe në Janar, Kongresi certifikon rezultatin. Kjo është një formulë kompromisi e themeluesve të Republikës, të cilët në atë kohë, nuk kishin besim tek votuesit për të zgjedhur një president të përshtatshëm.
Këtë vit numërimi i fletë votimeve do të kërkojë kohë për shkak të pandemisë dhe numrit të madh të votave të dërguara me postë. Pasi të përfundojë numërimi në të 50 shtetet, çdo guvernator harton listën e anëtarëve të Kolegjit Elektoral për shtetin e vet.
Kopja e listës i dërgohet drejtorit të Arkivave Kombëtare. Anëtarët e Kolegjit Elektoral të çdo shteti mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre, për të votuar për Presidentin. Kjo ndodh në Dhjetor. Këtë vit data është 14 Dhjetor.
Melania Trump, e vetmja pa maskë në qendrën e votimit
Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara ishte i vetmi person që kishte shkuar pa maskë në qendrën e votimit. E veshur me nje fustan Gucci që kushton rreth 4,500 dollarë, shoqëruar me një çantë Hermes dhe taka nude Christian Louboutin, ajo dukej e kuruar në detaje.
Megjithatë, zgjedhja e saj që të mos mbante një maskë mbrojtëse gjatë votimit shkaktoi zemërim të madh në rrjetet sociale. Sidomos, pasi ka kaluar vetëm pak kohë që kur ajo dhe bashkëshorti i saj Donald Trump dolën pozitiv me Covid-19.
50-vjeçarja u filmua pa maskë duke hyrë dhe duke dalë nga Qendra e Rekreacionit Morton dhe Barbara Mandel në Florida, ku edhe dha votën e saj për zgjedhjet presidenciale.
Nuk është hera e parë që veshja e Melania Trump shkakton reagime në publik, pasi edhe më parë ajo ishte shfaqur e veshur me një xhaketë e cila mbante mbishkrimin “Realisht nuk më intereson, po juve? ”, ndërkohë që ishte në takim me fëmijët e ndarë nga prindërit e tyre në kufirin SHBA-Meksikë.
Kujtojmë se deri tani më shumë se 16,000 njerëz kanë humbur jetën nga Covid-19 në shtetin e Floridas, ndërsa 233,000 në gjithë SHBA, numër që po vazhdon të rritet.
Redaksia Tvklan.al 2020