Biden zgjeron hartën e fitores për t’u zgjedhur President
Demokrati Joe Biden është më pranë arritjes së 270 votave për t’u zgjedhur President në kolegj. Gjatë orëve të fundit ai duket se ka fituar në dy prej 7 shteteve kyçe, Uiskonsin e Miçigan, bastione republikane prej vitit 2016.
Të dyja këto shtete kanë 26 delegatë, teksa totali i tyre për kandidatin demokrat ka arritur në 253. Ndërsa Donald Trump ka siguruar deri më tani 213 zgjedhës në kolegj.
Gara është ende e hapur në Xhorxhia, Karolinën e Veriut, Pensilvani, Nevada dhe Alaskë, që në total kanë 60 delegatë. Veç Nevadës ku diferenca është e ngushtë në favor të demokratëve, Trump është në avantazh në 4 shtetet e tjera, por ai duhet t’i fitojë të pesta për të arritur 273 delegatë në kolegj.
Në konferencën më të fundit për shtyp, demokrati Biden shprehu bindjen se ishte në rrugën e duhur drejt fitores.
“Tani pas një numërimi të gjatë, është e qartë se po fitojmë mjaftueshëm shtete për të siguruar 270 vota në kolegjin zgjedhor për të marrë presidencën. Nuk jam këtu për të deklaruar fitoren, por për të thënë se kur të mbyllet numërimi besojmë se do të jemi ne fituesit”.
Duke folur si fitues, Biden tha se rivalët politikë nuk do t’i trajtojë si armiq dhe se ishte koha për t’u bashkuar si një komb i vetëm. Ndërsa republikani Donald Trump, përmes një postimi të fundit në Twitter akuzoi sërish demokratët për manipulim votash.
“Ata po gjejnë gjithandej vota për Bidenin, në Pensilvani, Uiskonsin dhe Miçigan. Sa keq për vendin tonë”.
Stafi zgjedhor i Presidentit Trump ngriti padi për grupin e numëruesve të votave në Miçigan, duke kërkuar bllokimin e procesit të numërimit. Sipas stafit republikan, vëzhguesit e kandidatit të tyre nuk po lejohen të mbikqyrin procesin e numërimit të votave me postë por edhe të disa kutive të ardhura rishtazi, të cilat nuk përputhen me të dhënat e votuesve të regjistruar.
Republikanët kanë paralajmëruar edhe dërgimin në Gjykatën Supreme të procesit të numërimit në Pensilvani ku janë vënë re sipas tyre të njëjtat probleme.
Tv Klan