Kisha po bëhet gati të bekojë martesat homoseksuale
Kisha e Anglisë, ka njoftuar për hapa të rinj që mund të çojnë në miratimin e martesave të të njëjtit seks, pas tre vitesh me dyer të mbyllura për çështjen. Ndërsa, Kryepeshkopët kanë kërkuar falje për “dëmin” e shkaktuar në komunitetin LGBT.
Kisha, ka qenë thellësisht kundër të drejtave të homoseksualëve që nga viti 1987, kur parlamenti i saj, votoi për herë të parë për të përforcuar mësimin tradicional se seksi homoseksual është mëkatar.
Por, në fillim të këtij viti, peshkopët rifilluan mësimin se seksi është vetëm për çiftet e martuara dhe se partneritetet civile duhet të kenë “miqësi abstenente seksuale”. Sipas agjencisë Dailymail, tani kisha po diskuton që të ndryshojë kundërshtimin e mëparshëm ndaj martesave të të njejtit seks deri në vitin 2022, pasi peshkopët janë zotuar të marrin një vendim “në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me seksualitetin”.
Shtëpia e Ipeshkvijve ka njoftuar të hënën se do të filloj një proces zyrtar-të vendimmarrjes “mbi qëndrimin e kishës ndaj seksit, seksualitetit, martesës dhe gjinisë”.
Ipeshkvinjtë i kanë dhënë vetes një afat dy-vjeçar, për të hartuar propozime për t’i paraqitur para Sinodit të Përgjithshëm të Kishës, i cili ka edhe fjalën e fundit mbi ndryshimet në doktrinë. Peshkopi i Coventry tha se “lejimi i klerikëve për të bekuar martesa të të njëjtit seks, ishte vetëm një nga shumë pyetje në lidhje me seksualitetin që ata do të konsideronin”.
Për momentin, kisha nuk lejon martesa të të njëjtit seks dhe nuk bekon zyrtarisht martesa civile të të njëjtit seks. Megjithatë, të hënën, kisha ka publikuar një dokument me 480 faqe të quajtur “të jetosh në dashuri dhe besim”, i cili shqyrton mësimet e kishës mbi martesën dhe dallimin midis tradicionalistëve dhe adhuruesve liberalë.
Në prezantim të dokumentit u tha se “janë dashur tre vjet për të përfunduar këtë dokument dhe brenda tij janë të përfshirë një seri filmash dhe podkastesh që synojnë të ndihmojnë anëtarët e kishës të kuptojnë pyetjet në lidhje me seksualitetin, qëndrimet shoqërore dhe të menduarit e krishterë”./tvklan.al