Makinat elektrike përjashtohen nga taksat, harrohen motorët
Rritja me shpejtësi e numrit të makinave, ka shtuar ndotjen nga gazrat, që ato emetojnë në mjedis, duke u shndërruar në rrezik për shëndetin e popullatës. Ndaj dhe shkenca propozoi automjetet elektrikë, mes të cilëve edhe motorët.
Për këtë kategori automjetesh nëpër botë u hoqën taksat, për të stimuluar përdorimin e tyre, si miqësore me mjedisin.
Edhe Ministria jonë e Financave ndoqi të njëjtën politikë, duke bërë disa rregullime në ligjin ekzistues, që mundësonin heqjen e taksës doganore dhe TVSH-në për të gjitha automjetet me motor elektrik, që hyjnë në Shqipëri.
Por si për çudi, në këto politika, janë harruar pa u futur në ndryshimin e ligjit motorët elektrikë, duke e diferencuar në mënyrë absurde këtë kategori.
Për këtë problem “Stop” bisedoi me drejtorin e DPSHTRR-së Blendi Gonxhe, drejtorin e politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Nikolla Lera dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit Genci Gjonçaj, duke kërkuar, që korrigjimi të bëhet këto ditë, pasi në komisionet parlamentare po diskutohen ligjet e projekt-buxhetit 2021.
“Ne kemi gjetur një institucion që ishte larg ndjeshmërisë së pjesës green dhe ambientale dhe bëmë shumë ndryshime vitin e kaluar. Bëmë një hapje të institucionit, një hapje për publikun dhe me gjithë kauzat e reja që janë që nga edukimi dhe pjesa e ambientit ne gjetëm të arsyeshme që të hiqnim një pjesë nga vetja një arkëtim që bënim nga këto mjete duke dashur që t’i bëjmë t’i nxisim në qarkullim dhe import dhe nga tregjet e huaja. Bëmë që të gjithë mjetet e reja, dhe sipas vendimit edhe për motomjetet, urojmë të vijë dita edhe për autobusë elektrikë, por do jetë më tutje kjo gjë… Pra këto mjete vijnë dhe ne jo vetëm që nuk u marrim asgjë në kuptimin e tarifave, por edhe u japim regjistrimin, targat e materialet që kanë kosto për ne, atë 7500 lekëshin që mund të duket simbolike, por është një lehtësi për të gjithë këto mjete në regjistrimin e parë. Kjo ka shkuar për shkak të një nevojë që të evidentohet në sistem. Nuk mund të veprohet me vlerat zero në sistem sepse ngatërrohemi dhe është vepruar me një vlerë rimbursimi që nuk do të thotë se ju paguani dhe ne t’i kthejmë, ju thjesht nuk paguani. Pagesa finale që bëhet është qesharake, simbolike, nuk e kalon 500 lekëshin e vjetër ose mund të jetë më e lirë se kaq në varësi të shërbimeve që bën. Deri sot paguanin 7500 lekë të reja”, tha Gonxhe.
Drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Nikolla Lera, gjatë një komunikimi me email me gazetarët e “Stop” pranon faktin që mospërfshirja e motorëve elektrikë në këtë ligj është absurd.
“Duhet të jetë interpretim i termit automjet pasi logjikisht nëse ndryshimi është bërë për të stimuluar motorin elektrik në vend të motorit me benzinë apo gazoil që ndot ambientin nuk ka rëndësi nëse ky motor është vendosur në një mjet motorik me katër rrota apo me dy rrota”, thotë ai.
Por pak ditë më vonë ai ndryshon version.
“Përjashtimi besoj është kërkuar për automjetet pasi ato përbëjnë pjesën dërrmuese dhe numrin më të madh të mjeteve motorike që emetojnë gazra dhe në sasi më të mëdha. Pra nuk ka patur ndonjë qëllim për të përjashtuar këtë apo atë kategori mjetesh motorike, por është marrë në konsideratë kriteri i dëmit më të madh ambiental që shkaktohet nga automjetet (Numri i tyre dhe sasia e gazrave që emetojnë).
Natyrisht që politikat fiskale janë në përmirësim të vazhdueshëm dhe nëse argumentohet dhe shihet e domosdoshme nga pikëpamja ekonomike, ambientale etj. që furnizime apo mallra të caktuara është e nevojshme të trajtohen me tarifa tatimore të reduktuara apo të përjashtuara , organet ekzekutive dhe ato legjislative do të marrin vendimet e nevojshme. Për këtë nevojitet patjetër edhe ekspertiza dhe argumentimi për domosdoshmërinë e tyre nga grupet e interesit, shoqatat përfaqësuese, konsumatorët etj.”, shkruan Lera.
“Stop” i kërkoi sekretarit të Përgjithshëm të Parlamentit Genci Gjonçaj, që korrigjimi në ligj të bëhet këto ditë, pasi në komisionet parlamentare po diskutohen ligjet e projektbuxhetit 2021./tvklan.al