“Spitalet në kolaps”, Rama: Opozita kërkon t’u fusë ankth dhe panik qytetarëve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook në lidhje me akuzat e opozitës për spitalet Covid.
“Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3”, shkruan Rama.
Më tej, ai shton se drejtuesit e opozitës duan që t’u fusin qytetarëve ankth dhe panik për spitalet në kolaps.
“Duan t’ju fusin ankthin, t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik, për “spitalet në kolaps”, “të sëmurët që dergjen dyshemeve”, “situatën jashtë kontrollit” dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t’u rikthyer në pushtet”, thotë Rama.
Por ai shton se do të nxjerrë të tjera video ekskluzive nga brenda spitaleve me pamje dhe dëshmi që tregojnë se nuk janë në kolaps. Ai i bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat dhe të kenë durim. Edhe pse muajt përpara parashikohen të vështirë, Rama thotë se do t’ia dalim mbanë nga kjo luftë.
“Kini besim, bëni durim, jini të kujdesshëm për veten e të dashurit tuaj, respektoni rregullat, mos bini pre e lajmeve të rreme, fabrikimeve politiko – mediatike dhe teorive të konspiracionit! Kemi përpara edhe disa muaj të vështirë, por do t’ia dalim edhe kësaj lufte të egër dhe do të dalim më të fortë nga ky stërmundim i madh”, shkruan Rama. /tvklan.al