Mbyti foshnjen 9-muajshe, arrestohet pas 23 vitesh


Mbyti foshnjen 9-muajshe, arrestohet pas 23 vitesh

23:44 12/11/2020

46-vjeçarja ishte dënuar në Greqi me 20 vite burg

Ka përfunduar pas 23 vitesh arratia e nënës që vrau foshnjen e saj vetëm 9 muajsh. Forcat e Policisë së Korçës në bashkëpunim me Interpol Tiranën arrestuan mëngjesin e së enjtes 46-vjeçaren Irena Zerja, e cila është dënuar nga autoritetet greke të drejtësisë me 20 vite burg, pasi në vitin 1995, në Diles të Greqisë vrau duke e mbytur me duar, vajzën e saj 9-muajshe.

Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë, pasi ishte arratisur në vitin 1997 nga Qendra e Paraburgimit të Femrave në Greqi.

Prej atëherë ajo ishte kthyer së bashku me bashkëshortin në vendlindjen e saj, në Miras të Devollit dhe jetonte në këtë shtëpi, duke i shpëtuar dënimit për më shumë se dy dekada me radhë.

Banorët e fshatit dhe fqinjët, tregojnë se çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, ndërsa nuk ishin në dijeni të historisë së saj kriminale, për të cilin është dënuar nga drejtësia e vendit fqinj.

Jashtë kamerave banorët treguan se 46-vjeçarja, pas kthimit nga Greqia kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor, për të cilat edhe ishte kartelizuar.

Tv Klan






Të ngjashme