Apple “dështon” në publikimin e sistemit të ri “Big Sur”, përse nuk përditësohet kompjuteri juaj?
Autori: REDIS
23:17 12/11/2020Mac OS Big Sur, ndryshimi historik i Apple nuk është ende gati
Gjatë mbrëmjes së sotme është publikuar përditësimi më i madh në historinë e Apple, sistemi i ri operativ macOS Big Sur, por shumë përdorues nuk e kanë marr ende në kompjuterin e tyre.
“Instalimi dështoi. Ndodhi një gabim gjatë instalimit të përditësimeve të zgjedhura, (Installation failed. An error occurred while installing the selected updates),” është mesazhi i cili është shfaqur në shumë përdorues të Apple të cilët kanë reaguar përmes statuseve në rrjetet sociale duke e detyruar kompaninë të jap një shpjegim për situatën.
Shpejtësia e shkarkimit ishte shumë e ngadaltë fillimisht (pavarësisht shpejtësisë së shërbimit të ofruesve të internetit). Teksa të gjithë përdoruesit tentonin të shkarkonin përditësimin e ri që është më shumë se 12 GB, ata janë përballur edhe me një rënie të faqes së zhvillimit të Apple. Aktualisht edhe mesazhet iMessage të Apple janë jashtë funksionit dhe sistemi i mëparshëm macOS Catalina ka disa ndikime në performancë.
Zyrtarisht Apple ka konfirmuar se përdoruesit nuk kanë mundur të shkarkojnë përditësimin e ri të macOS dhe kjo çështje është duke u hetuar. Po ashtu edhe për mesazhet kanë pranuar se ka disa probleme dhe shërbimi mund të jetë jofunksional, ndërsa shkëmbimi i emaileve të iCloud është zgjidhur si problem.
Për sistemin e ri dhe një përgjigje më të detajuar se çfarë ka ndodhur gjatë përditësimit duhet të presim në orët në vazhdim. /tvklan.al