Arkivat thyejnë barrierat, salla studimi në çdo cep të Shqipërisë dhe qytetet shqiptare jashtë saj


Arkivat thyejnë barrierat, salla studimi në çdo cep të Shqipërisë dhe qytetet shqiptare jashtë saj

12:15 15/11/2020

Në Bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës u krijua këndi arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për të qenë më afër qytetarëve dhe studiuesve. Kjo do të mundësojë që elita intelektuale e qytetit, përmes sistemeve elektronike të vendosura në dispozicion, të mund të ketë qasje në dokumentin arkivor, si të ishte në Tiranë, pa pasur nevojën e udhëtimit drejt kryeqytetit.

Për të përuruar këtë shërbim të ri të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i DPA, Ardit Bido, deputeti i zonës Bledi Çuçi, i cili po ashtu mban postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Prefekti i qarkut Gjirokastër Odise Kote, kryebashkiaku Flamur Golemi, përgjegjësja e Bibliotekës Arminda Mevlani dhe pedagogu Shyqyri Hysi.

Ata panë nga afër se si do të funksionojë kjo risi e sjellë për Gjirokastrën në Bibliotekën “Apostol Meksi”, e që i mundëson komunitetit shkencor të qytetit dhe rrethinave të kenë qasje të plotë dhe të njëllojtë me sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Qëllimi i kësaj është që të nxitet kërkimi shkencor në Gjirokastër dhe të rrisë frekuentimin në bibliotekën e vet. Shërbimi për studiuesit do të ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes e-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune.

E nisëm këtë risi të DPA-së në qytetin e Gjirokastrës për të vazhduar shumë shpejt dhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. /tvklan.al






Të ngjashme