Albkromi i jepet për 30 vjet me koncension firmës turke Beroner – (18 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Është nënshkruar pasditen e sotme në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizmit një marrëveshje e cila i jep firmës turke Beroner, me koncesion për 30 vjet një pjesë të industrisë së Albkromit. Kështu përsa i përket industrisë së kromit në administrimin e firmës turke, do të jenë fabrikat e pasurimit të Mjedës, Gjolaj në Koliq, miniera e Karmës. Për bakrin janë marrë minierat e Vlahenit, Olajt, si dhe Rubiku, i cili sipas specialistëve do të fillojë punën pas një viti e gjysmë.
Investimi i firmës Berone në industrinë minerare, kap shifrën e 20 milion dollarëve dhe ka disa faza. Firma turke do të punojë në minierat tona, duke marrë përsipër rehabilitimin, shfrytëzimin, ndërsa makineritë e instaluara prej tyre do të mbeten këtu. Marrëveshja është nënshkruar në prani të ministrit Mustafa Muçi, nga zv/ministri Pajtim Bello, ndërsa për firmën turke nënshkroi përfaqësuesi i saj Hasan Bekpinar. Zbatimi i marrëveshjes fillon pas kalimit të saj në qeveri dhe parlament./tvklan.al
Gazetare – Mirel Milori