Bashkia e Tiranës projekt për transformimin e bulevardit kryesor – (20 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ky është bulevardi kryesor në Tiranë, ndërtuar që në vitet ’30, në kohën e Zogut, i cili mori kredi nga Italia për shtrimin e këtij bulevardi. Kjo është e vetmja rrugë me të cilën krenohemi, pasi është punuar me cilësi ndryshe nga rrugët e tjera. Bulevardi përbën pikën lidhëse kryesore të dy anëve të qytetit. 70 vjet rrugë kryesore.
Vitet e fundit, mbipesha, ndërhyrjet, bënë që kjo rrugë të degradonte deri në hapje gropash, madje ndërhyrjet që u bënë për t’i mbyllur ato dëmtuan origjinalitetin dhe shëmtuan bulevardin. Tentativa e fundit është ajo e bashkisë, e cila po riparon me pllaka pika emergjente. Një vit më parë Ministria e Kulturës në projektin e saj e kthen bulevardin në Ansambël Monument Kulture. Për këtë drejtori i Monumenteve të Kulturës Artan Shkreli thotë:
Artan Shkreli:- “Aksi i bulevardit vetë do të përballet me një proces transformimi, qoftë nga pikëpamja e gjelbërimit, i cili do të ndërrohet dhe do të vihet një gjelbërim i përshtatshëm, pasi nuk ka qenë i parashikuar asnjëherë në planet urbane, të përdorin gjelbërim me pisha, që nuk është karakteristik për Tiranën. Përsa i përket shtrimit të rrugës me pllaka asfalti, ky ngelet një problem i madh, pasi kapaciteti i prodhuar është shumë i vogël”.
Projekti i këtij bulevardi është bërë nga urbanist italian, të cilët menduan të ruanin Tiranën e vjetër, i cili lidhte dy lagjet e vjetra të Tiranës. Për atë çfarë po bëhet sot nënkryetari i bashkisë, Artan Lame shprehet.
Artan Lame:- “Në prishjen e simetrisë, ndikojnë dhe ndërtimet e fundit të bulevardit, në zonën e stacionit të Trenit. Ajo ç’ka shpresojmë ne është që të mos kalojmë në ndërtimet e këtij lloji, nëpërmjet bashkisë së Tiranës”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti