Bashkia e Elbasanit merr masa për lopën e çmendur – (24 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Bashkia e Elbasanit, merr masa për t’u mbrojtur nga lopa e çmendur. Zyra e kujdesit shëndetësor në këtë bashki, menjëherë pasi është njohur me urdhëresën e drejtorisë së shërbimit veterinar, në Ministrinë e Bujqësisë, ka ushtruar kontrolle të rrepta, për të gjitha ngarkesat e mishit të importuara nga jashtë.
Sipas përgjegjësit rajonal të kësaj zyre, situata është nën kontroll ndërkohë që nuk është lejuar importi i mishit dhe nënprodukteve të tij nga vende të tilla si Franca, Austria, Anglia, Zvicra, Spanja, Portugalia etj. Aktualisht në Elbasan, janë futur për konsum 50 ton mish, nga Brazili dhe 25 ton mish derri ardhur nga Qipro.
Zyra e kujdesit shëndetësor në Bashkinë e Elbasanit, sqaron se mishrat e importuar, i janë nënshtruar kontrollit të imët bakteriologjik, kështu që nuk bëhet fjalë për depërtim të sëmundjes. Mishi për konsum, i freskët apo i importuar është pajisur me certifikatë veterinare./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego