Durres, nis procesi gjyqësor ndaj Vladimir Shytit – (26 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ka filluar sot në Gjykatën e Durrësit, procesi ndaj 27-vjeçarit Vladimir Shyti, i akuzuar për vrasjen e të riut kryeqytetas Alban Dani. Ngjarja e bujshme ka ndodhur në 14 Marsin e vitit 1999, pranë pistës Iliria, në plazhin e Durrësit. Në seancën e parë të zhvilluar sot, Shyti është njohur me akuzën ndaj tij, vrasje në kushtet e tronditjes së thellë psikike të çastit.
I akuzuari e ka pranuar akuzën ndaj Danit, i cili është përfolur në mediat shqiptare, si njëri prej pjesëtarëve të grupit të rrugës së Durrësit, në Tiranë, të akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës. Ndarja e bandës, krijoi dy grupe rivale, të cilët akuzohen për mbi dhjetë vrasje mes të cilave dhe vrasja me snajper brenda burgut 313 në Tiranë, si dhe Median Shehut e Denis Ginës të vrarë pas një atentati me antitank.
Avokati i të akuzuarit Vladimir Shyti, kërkoi sot në Gjykatën e Durrësit, gjykim të shkurtuar për klientin e tij, i cili pranoi se ishte ai autori i të shtënave fatale mbi Danin. Por trupi gjykues, bëri sot vetëm administrimin e disa provave dhe dëshmive, duke deklaruar se do ta merrte parasysh pranimin e akuzës, që çon në uljen e 1/3 të masës së dënimit për Shytin, kur të shpallet vendimi përfundimtarë ndaj tij./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori