Blue – Alfons Gurashi, një gazetar i lindur (21 Nëntor 2004)
Alfons Gurashi do të mbahet mend si gazetari dhe folësi i parë në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar. I ftuar në “Blue”, ai tregoi të pathëna nga karriera e tij televizive. “Më ra mua shorti t’a bëja atë punë sepse mund t’a bënte kushdo tjetër. Mund t’a bëje dhe ti po të kishe lindur atëherë kur kam lindur unë.”– u shpreh ai. Rrëfimi i tij nisi nga fëmijëria ku veten e cilësoi si një fëmijë çapkën. “Në rini më pëlqente të merresha vetëm me “çapkënllëqe””.
Që në vogëli është aktivizuar në programet e fëmijëve në Radio Tirana ku nga emisionet e fëmijëve kaloi në emisionet e rinisë më pas dhe në emisione për të rritur. “Babai im kishte një radio të vjetër dhe më ndiqte nga aty. Më kujtohet që ndiqte me shumë pasion çdo radio italiane dhe ishte pikërisht aty shtysa që ai kishte ndaj meje që të ndiqja radion si profesion.”/tvklan.al