108-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë


108-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

08:37 28/11/2020

Festa në kohë pandemie, Rama dhe Meta urojnë shqiptarët

Sot bëhen 108 vjet nga shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor të 1912-ës në Vlorë. Ky vit e gjen Shqipërinë në një moment të vështirë për shkak të pandemisë dhe nuk do të lejohen festimet si vitet e tjera.

I pari që ka uruar këtë ditë të shënuar ka qenë kryeministri Edi Rama. Ai ka shpërndarë në rrjetet sociale një citim nga Ismail Qemali.

Flamuri i ynë n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija”, citon Rama.

Pak më vonë, në rrjetet sociale uroi edhe Presidenti Ilir Meta. Ai bëri thirrje që të punohet dhe angazhohet çdo ditë për të mbrojtur flamurin e vendit. 108 vite sipas tij janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern në aspiratën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

“Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit. 108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit!  Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen”, shkruan Meta.

Vlora është epiqendra e festimeve për Ditën e Pavarësisë. Por sot gjithçka do të jetë ndryshe për shkak të masave të marra për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Në ngritjen e flamurit, ishin të pranishëm vetëm Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Prefekti dhe Kryetari i Bashkisë.  

Kryetari i Bashkisë së Vlorës ka bërë thirrje që të mos krijohen grumbullime njerëzish.

Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë./tvklan.al






Të ngjashme