Vaksina Moderna kërkon miratimin nga SHBA dhe BE


Vaksina Moderna kërkon miratimin nga SHBA dhe BE

22:40 30/11/2020

Vaksina Moderna ka paraqitur kërkesën për aprovim nga autoritetet shëndetësore të SHBA dhe BE, në mënyrë që të rekomandohet për përdorim të gjerë.

Autoritetet do të shikojnë të dhënat e provës për vaksinën dhe do të vendosin nëse është mjaft e sigurt dhe efektive për Autorizim të Përdorimit Emergjent.

Studimet klinike deri tani kanë treguar se vaksina është më shumë se 94% efektive në mbrojtjen e njerëzve nga koronavirusi.

Edhe kompania Pfizer, që ka krijuar një vaksinë të ngjashme, tashmë ka kërkuar aprovim nga SHBA.

Ndërsa autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar po shqyrtojnë gjithashtu të dhënat për aprovim emergjent të vaksinës Pfizer, si dhe vaksinës AstraZenca, krijuar nga Universiteti i Oksfordit

Nga Moderna janë shprehur se shpresojnë të marrin miratim edhe në Mbretërinë e Bashkuar së shpejti, tani që ka të dhëna provë nga 30,000 vullnetarë, përfshirë grupe me rrezik të lartë si të moshuarit, që sugjerojnë se vaksina funksionon.

Këto janë tre vaksinat kryesore të krijuara kundër Covid-19 dhe secila ka veçoritë e saj.

Vaksina AstraZeneca është më e lirë, kushton 4 dollarë një dozë, krahasuar me rreth 20 dollarë që kushton vaksina e Pfizer dhe 33 dollarë vaksina e  Moderna.

AstraZeneca është më e lehtë për t’u shpërndarë sepse nuk ka nevojë të ruhet në temperatura shumë të ulëta. Por efikasiteti i saj në prova, është midis 62% dhe 90%, pak më i ulët se efikasiteti i Pfizer dhe Moderna./tvklan.al






Të ngjashme