Nisja e negociatave me BE, Merkel: E vështirë këtë vit


Nisja e negociatave me BE, Merkel: E vështirë këtë vit

18:24 30/11/2020

“Maqedonia e Veriut të zgjidhë problemet me Bullgarinë”

Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur skeptike që nisja e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian të fillojë që brenda këtij viti. Në një takim virtual me parlamentarët e vendeve anëtarë dhe kandidate për në Bashkimin Europian, ajo tha se pavarësisht progresit të bërë e ka të vështirë të japë një kohë të saktë.

“Shqipëria ka bërë përparim të madh, Maqedonia e Veriut po ashtu. Maqedonia e Veriut ka një problem me Bullgarinë. Shpresoj që të dy vendet të bien dakord që t’i hapet rruga për në konferencë. Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”.

Ndërsa për Serbinë kushti për të bërë përpara drejt BE është i qartë.

“Sa i përket Serbisë, ajo duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet e saj me Kosovën”.

Kancelarja gjermane theksoi se ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të vendosin përfundimisht në 7 Dhjetor për çeljen zyrtare të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Bullgaria ka paralajmëruar se do të vërë veton për hapjen e konferencë së parë ndërqeveritare me Shkupin, ndërsa për Tiranën do të vlerësohet progresi i bërë në detyrat e lëna nga Këshilli Europian në Mars dhe Bundestagu gjerman.

Tv Klan






Të ngjashme