Shkolla e Gjuhëve të Huaja ndalon vajzat me ferexhe në shkollë – (30 Janar 2001)


Shkolla e Gjuhëve të Huaja ndalon vajzat me ferexhe në shkollë – (30 Janar 2001)

19:17 30/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Zbatimi i rregullores në shkollat e mesme të përgjithshme është një detyrim që nxënësit duhet ta ndjekin vetë. Sipas akteve normative të Ministrisë së Arsimit, shkollat e mesme të përgjithshme rregulloren e vendosin vetë, gjë për të cilën të gjithë nxënësin firmosin në fillim të shkollës. Ka qenë zbatimi i kësaj rregullore, që ditët e fundit në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, në kryeqytet janë ndaluar të marrin pjesë në mësim katër vajza të veshura me ferexhe.

Problemi nuk është dukur i madh fillimisht. Prindërit e shqetësuar kërkuan rikthimin e vajzave të tyre në shkollë, pasi ato ishin nga rrethe të ndryshme të vendit dhe kishin ardhur në Tiranë për të mbaruar studimet këtu. Veshjen e vajzave të reja me ferexhe, përveç mësuesve e kanë komentuar edhe nxënësit e shkollës, të cilët kanë kërkuar zbatimin e rregullores.

Tre nga vajzat i janë kthyer mësimit, ndërsa vajza tjetër kërkon të mbarojë vitin e katërt me këtë veshje. Një ndërhyrje e komunitetit mysliman në kryeqytet pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja kërkoi sot që vajza të pranohet në shkollë kështu. Ndërkohë që sipas Ministrisë së Arsimit një gjë e tillë nuk lejohet. Vaso Qano, shefi i kabinetit në Ministrinë e Arsimit thotë:

Vaso Qano:- “Në arsimin tonë me Kushtetutë, arsimi ynë është laik dhe në këtë mënyrë ne nuk lejojmë ideologjizime dhe propagandë fetare në shkolla. Por në kuadrin e zbatimit të të drejtave të njeriut, unë dëshiroj që në shkollë të gjithë nxënësit të ndihen të barabartë dhe të pandikueshëm në fushën e uniformave të nxënësve”./tvklan.al






Të ngjashme