Bashkia e Tiranes aksion për prishjen e lavazheve në rrugën e Elbasanit – (2 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Angazhimi për prishjen e lavazheve në rrugën e Elbasanit, ka mbledhur sot në orët e para të paradites, të gjithë punonjësit e bashkisë. Në krye ka qenë vetë kryebashkiaku Rama, i cili ka drejtuar këtë aksion. Rreth 200 punëtorët e ndërmarrjes të pastrim-gjelbërimit, rrugë kanalizimeve, sot për herë të parë janë veshur me uniformat e reja të bashkisë, pasi që këtej e tutje asnjë punëtor nuk do të lejohet të punojë pa uniformë. Aksioni për prishjen e këtyre ndërtimeve pa leje, ka përfshirë të 20 lavazhet në rrugën e Elbasanit.
Edi Rama, Kryetar i Bashkisë Tiranë:- “Duket se kjo është një pjesë e pasurisë kombëtare, se është një park kombëtar, i cili është degjeneruar duke betonuar pjesë të tëra dhe duke e shfrytëzuar për lavazhe të paligjshme, të cilat kanë dëmtuar seriozisht dhe prurjet në ujin e pijshëm, plus edhe infrastrukturën, kështu që kjo histori duhet të mbarojë. Unë i paralajmërojë të gjithë ata që lajnë makina me ujin e pijshëm dhe nuk kanë as leje dhe as licencë për të vazhduar këtë aktivitet të largohen një orë e më parë nga vendet ku janë”.
Prishjen e ndërtimeve pa leje këtë radhë e ka marrë në dorë bashkia e kryeqytetit, e cila së shpejti do të ndërhyjë edhe në mjaft rrugë të tjera ku ndërtimet kanë zënë si trotuaret ashtu vjedhin dhe ujin e pijshëm nga tubacionet./tvklan.al