Bodo Hombah në repartin e shkatërrimit të armëve në Elbasan – (2 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Shkatërrimin e armëve në vendin tonë e ka demonstruar edhe vetë kryetari i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, Bodo Hombah, gjatë vizitës që ai ka kryer sot në repartin e shkatërrimit të armëve në Elbasan. Hombah është njohur gjithashtu edhe me mënyrën e funksionimit të këtij reparti. Qendra e shkatërrimit të armëve është e vetmja në vendin tonë.
Deri tani janë shkatërruar rreth 12 mijë e 200 armë të kalibrave të ndryshme, ku punojnë specialist shqiptarë dhe gjermanë dhe deri në fund të projektit do të shkatërrohen 40 mijë armë të mbledhura në të gjithë vendin. Më pas kryetari i Paktit të Stabilitetit Hombah, ka shtypur edhe butonin nga ku do të fillojë faza e dytë e projektit për asgjësimin e armëve.
Marrëveshja e shkatërrimit të armëve në vendin tonë është realizuar midis SHBA, Norvegjisë dhe Gjermanisë. Shteti gjerman ka vënë në dispozicion të këtij projekti një fond prej 400 mijë markash. Ndërsa i gjithë projekti i paktit të çarmatimit për Europën Juglindore shkon në 150 milion dollarë./tvklan.al