Nis kryerja e testeve të shpejta në institucione


Nis kryerja e testeve të shpejta në institucione

15:33 07/12/2020

Pas 20 Dhjetorit edhe për popullatën në qendra shëndetësore

Prej kësaj të hëne në kryeqytet ka nisur kryerja testeve të shpejta të antigenit për Covid-19, i cili e nxjerr rezultatin për 15 minuta. Ato po aplikohen fillimisht në institucione, ku shihet me rrezik përhapja e virusit.

“Këto teste zakonisht merren në institucione të rëndësisë siç janë institucionet e edukimit të paraburgimit, azile, institucione të kujdesit shëndetësor, por edhe shkolla, kopshte. Tani për tani është vetëm në kryeqytet. Startoi sot, por do të jetë në vazhdimësi.”

Pas datës 20, ato do të kryhen edhe për popullatën, edhe nga mjekët e familjes.

“Nga data 20 nëpër qendra të ndryshme shëndetësore do aplikohet ky testim. Tashmë marrin pjesë edhe mjekët e familjes.”

Sipas epidemiologëve këto teste po kryhen për kontaktet e ngushta të personave Covid pozitiv. Janë mbi 100 teste të shpejta që do të kryhen brenda një ditë, duke përfshirë edhe personat asimptomatikë, por që janë kontakt i ngushtë i një personi pozitiv Covid.

Në total Ministria e Shëndetësisë ka siguruar një stok prej 100 mijë teste të shpejta.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale bëri të ditur se ekipet epidemiologëve të terrenit do të kryejnë edhe testet e shpejta, përveç testimit me metodën PCR, duke rritur mundësinë për më shumë testime. Ndërkohë që së shpejti do të hapen disa pika në Tiranë dhe në qytetet e tjera për testimin e shpejtë.

Tv Klan






Të ngjashme