Rikthehet kërkesa për kredi nga konsumatorët
Mikrofinanca: Kanë nisur edhe ripagesat e kësteve
Industria Financiare e Mikrofinancës ka qenë sektori më i prekur nga pandemia e Covid, për shkak edhe të shtresave më vunerabël ndaj të cilave jep kredi, por gjatë muajve të fundit të vitit kërkesat për financime nga konsumatorët po rriten duke arritur në të njëjtat nivele me ato të 2019-s. Brunilda Isaj, sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Mikrofinancës, thotë se ecuria e këtij sektori ka qenë në muajt e karantinës shumë e pasigurtë, ndërsa tashmë po shihet një kthesë në ecurinë e këtyre bizneseve.
“Nuk mund të themi që jemi me rritje krahasuar me një vit më parë, por jemi sot me të njëjtat nivele të 2019-s. Në muajt e karantinës kërkesa ishte zero dhe muajt e parë pas rihapjes kishim vetëm 10% të kërkesës që kemi patur vitet e tjera.”
Shtyrja e kredive edhe të kësaj kategorie krijoi kosto për industrinë, ndërsa menjëherë pas përfundimit të moratorumit pati një rritje në 11.3% të kredive të këqija, shifër e cila po normalizohet gjatë periudhës së fundit.
“Tashmë kanë nisur ripagesat e kredive, pati një rritje në periudhën e verës pas rihapjes së ekonomisë kur përfundoi dhe moratorumi, por tani kreditë kanë nisur të paguhen.”
Sektori i mikrofinancës jep kredi për financimin e blerjes së orendive apo nevojave bazë të bizneseve të vogla. Ai ishte më i prekuri nga pandemia, ku një pjesë e institucioneve financiare mbyllën pikat dhe shkurtuan afro 17.5% të stafit, por tashmë kanë nisur rihapjen dhe kthimin e tyre në punë.
Tv Klan